Fjala e hapjes nga drejtoresha e shkollës
Elsa Ekonomi Hila
10 vjetori, Përvoja jonë, ende për t’u rritur
Të nderuar mësues, prindër, miq të shkollës, të dashur nxënes të sotëm dhe të djeshëm, mirëseerdhët në këtë ditë të shënuar, atë të 10-vjetorit të themelimit të shkollës jopublike "Mihal Ekonomi" që përkon bukur me 100 vjetorin e Pavarësisë. Kuptimësia e këtyre festave dhe pjesemarrja e juaj sot e ndriçojnë më shumë këtë ditë të sotme. Shkolla Mihal Ekonomi e filloi aktivitetin e saj si shkolla e parë e mesme jopublike e qytetit të Durrësit me 11.07.2002. Pas një viti e plotësoi aktivitetin edhe me nivelin 8-vjeçar (sot 9-vjeçar) duke u bërë pjesë e pandarë e shkollës shqiptare. Të njohësh jetën e një shkolle mjaftojnë pak vite, Shpirti njerëzor, mendimi bashkëkohor, përkujdesja, synimet e qarta u bënë themelet e shkollës jopublike “Mihal Ekonomi”. Kur njeh zanafillën e saj, fëmijërinë, pjekurinë, shpreson dhe beson shumë tek ky dhjetëvjeçar, tek gjithçka që vjen për të mirën e njeriut nxënës, mësues, qytetar. Gjithçka për dijen, për të shkruar pak histori dhe shumë të nesërme. Të marrësh kurajon e të hapësh një shkollë është përgjegjësi shumë e madhe. Shkolla nuk duhet vetëm për sot, por edhe për nesër. Prindërit besojnë tek ne pasurinë më të madhe të tyre: fëmijët. Drejtuesit së bashku me stafin e mësuesve punojnë pa u lodhur për të realizuar të gjitha zotimet e marra para prindërve dhe komunitetit ku jetojmë. Kemi arritur shumë e më shumë akoma do të arrijmë. Kjo shkollë është pjesë e jetës sonë. Nxënësit që rriten këtu i duam, i edukojmë, i mësojmë, i kritikojmë, i lavdërojmë ashtu si prindi fëmijën. Kjo është bukuria e punës që bëjmë. Duke çuar përpara rrugen e ndritur të mësuesve më të vjetër. Ndalojme për një çast tek njëri nga ata, tek mesuesi atdhetar, erudit Mihal Ekonomi, emrin e te cilit mban kjo shkollë. Mihal Ekonomi deri në moshën 55- vjeçare punoi si mësues i gjuhës shqipe dhe historisë në Durrës. Ndërroi jetë, me 24 dhjetor 1990, i mbushur emocionalisht, në ditët e para të demokracisë pa e shijuar atë, duke lënë pas mirënjohjen e shumë brezave që ai mësoi. Më 5 shtator 2011, Bashkia Durrës i dha titullin: MIRENJOHJA E QYTETIT (pas vdekjes) me motivacionin: “Mësuesit të dashur e pasionant të brezave të tërë, që falë forcës së karakterit, pjekurisë intelektuale dhe vullnetit këmbëngulës të tij, u kthye në simbol të atdhedashurisë, dijetarit dhe përçuesit më të shënjuar të vlerave njerëzore e shpirtërore” Por le t’i kthehemi pak historisë së trupës arsimore të shkollës “Mihal Ekonomi” Ajo ka rrjedhën e saj me të gjitha ndryshimet njerezore të brezave të mësuesve , të lëvizjeve të motivuara, të rreth 60 vetëve, por një gjë nuk ka ndryshuar: të qenit mësues i vërtetë për nxënësit tanë e kuptuar në këndvështrimin filozofik të mësuesit Mihal Ekonomi: "Vetëm njerëzit që dëshmojnë identitet dhe individualitet pozitiv kthehen në personalitete” Pa mundur t’i përmend të tërë mësuesit që kanë punuar në këtë shkollë kam kënaqesi dhe respekt pakufi të bëj të ditur disa prej tyre si, Prof. Dr. Ilia Prifti, Prof. Dr. Zenun Mulaj, Hilmi Bekteshi, Doreta Sheldia, Bardhyl Ballanca, Ruzhdi Gole, Jorgji Noçka, Shqipe Meçe, Arben Babameto, Ilir Xaxa, Vjollca Rrembeci, Llambrini Kerçaku, Groshe Gjergji, Thomaidha Tiri e të tjerë. Nxënësit që ata kanë mësuar janë shumë, janë shumë e shumë maturantë që janë graduar këtu e që përfaqësojnë me dinjitet emrin e shkollës në shumë universitete nga ato të Shqipërisë e deri në ato të Evropës e Amerikës. Një pjesë e tyre sot kanë mbaruar studimet e larta. Të tjerë janë akoma në auditorë për t′u bërë nesër kuadro e specialistë të zotë të së ardhmes që do t′i shërbejnë më vonë komunitetit ku do të jetojnë. Në morinë e tyre që i kujtojmë gjithmonë sa herë hapim amzen e shkollës, do të përmend disa emra që lanë më shumë gjurmë . Doriana Hilmi Bekteshi, Arbër dhe Sigi Artan Babi, Megi Artur Lekbello, Anisa Orest Sinjari, Gledis Sokol Kallogjeri, Eneda Luan Jonuzi, Ikbale Dilaver Tepelena, Aferdita Puli, Olvi dhe Iris Andrea Tole, Ardiola Çela, Jona Spiro Suli, Anisa ShpetimTurku, Lisiena Tahir Shazivari, Marinela Spiro Qosja, Envi Arben Taraku, Ornela Arjan Laçi, Lorela Aleksander Garuli, Bisera Firdus Karagjozeviq, Emi e Tedi Ndriçim Zotaj, Maria Kler Troplini, Eno dhe Lorela Edmond Çiraku, Sidit e Vesa Ruzhdi Milaqi, Etis Arben Peza, Iris Besnik Kërtusha, Enva Agron Duka, Chiara Arjan Prodani, Denisa Cerri e shumë të tjerë në pamundësi për t’i përmendur. Këtyre dhe të gjithë të tjerëve ju uroj shumë suksese në shkollë, në universitet e në jetë! Ju uroj të gjithëve ju prindër e gjyshër për gjithshka që bëni për fëmijët tuaj, për vlerat njerëzore që keni transmetuar tek ata. Ju uroj juve mësues të nderuar për punën tuaj të pashoqe! Të dashur mesues, nxënës, prindër e miq të shkollës, festofshim shumë ditë të bukura si kjo e sotmja, duke i shërbyer shkollës shqipe, e përparimit të shoqërisë sonë, duke realizuar edhe ëndrrën iluministe të rilindasve tanë e të korifeut të saj Naim Frasheri: Dhe dritë e diturisë përpara do na shpjerë..!
Elsa Ekonomi Hila Durres, më 5 dhjetor 2012 |
---|