Mihal Ekonomi

U lind më 15 korrik 1918 në qytetin e Kavajës në një familje intelektuale me tradita atdhetare. Arsimin e mesëm dhe dhe atë universitare e kreu në Shqipëri, Itali, Greqi dhe në Rumani ku u laurua dy herë për Teologji - Filozofi dhe Pedagogji. Pas përfundimit të studimeve të larta u kthye në atdhe, në vitin 1944. Familja Ekonomi ka një traditë mësuesie, e cila nis nga Rilindja, me emrin e mësuesit Andrea Ekonomi (Pishtar i Demokracisë) e deri më sot. Mihal Ekonomi deri në moshën 55-vjeçare punoi si mësues i gjuhës shqipe dhe historisë në Durrës. Ai fitoi mirënjohjen e brezave të shumtë të nxënësve, respekt dhe nderim gjatë gjithë jetës. Mendësia e punës së prof. Ekonomit e parë në aspektin filozofik shprehej: “Nuk mund ta mohosh diçka, pa e njohur më parë dhe nuk ke të drejtë ta përbuzësh e shpërfillësh, kur të mungon çdo lloj njohjeje për të…. Mos beso, nëse nuk ndien, por se ç’është besimi duhet ta dish. Përndryshe, nuk mund të jesh kurrfarë intelektuali”. Mihal Ekonomi dallohej si njohës shumë i mirë i disa gjuhëve: i greqishtes, latinishtes, rumanishtes, italishtes dhe frëngjishtes. Në vijë paralele me punën e tij si mësues janë shkrimet, të cilat nuk i ndërpreu asnjë çast nga tezat e diplomimeve në Rumani në 1945, në Shqipëri e deri në ditët e fundit të jetës. Eshtë autor i shumë artikujve, kryesisht me karakter gjuhësor, letrar, historik dhe teologjik. Gjithashtu ai njihet si përkthyes, sidomos nga rumanishtja. Ndërroi jetë, i mbushur emocionalisht, në ditët e para të demokracisë pa e shijuar atë, duke lënë pas mirënjohjen e shumë brezave. Më 5 shtator 2011, Bashkia Durrës i dha titullin: MIRENJOHJA E QYTETIT (pas vdekjes) me motivacionin: “Mësuesit të dashur e pasionant të brezave të tërë, që falë forcës së karakterit, pjekurisë intelektuale dhe vullnetit këmbëngulës të tij, u kthye në simbol të atdhedashurisë, dijetarit dhe përçuesit më të shënjuar të vlerave njerëzore e shpirtërore” Në vitin 2018 Shoqata “Durrësi Autokton” i jep titullin “Nderi i qytetit” (pas vdekjes) me motivacionin: “Për përkushtimin në krye të detyrës fisnike të mësuesit si dhe kontributin e tij të madh në drejtim të rritjes së cilësisë së mësimdhënies duke u spikatur në breza të tërë nxënësish e studentësh si një ndër përçuesit më të veçantë të kompetencave të tij në fushën akademike”.