Prof. Dr. Ilia Prifti

U lind në Korçë më 23 prill 1945. Kreu studimet e larta në Degën e Fizikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. Punoi fillimisht si mësues në arsimin e mesëm e më pas, për mëse 30 vjet, në arsimin e lartë pranë FSHN, Universiteti i Tiranës. Në maj të vitit 1995 i akordohet titulli “Profesor”, kurse në shtator të vitit 1995 i akordohet grada shkencore “Doktor”. Punoi për rreth 3 vjet në Ministrinë e Arsimit me detyrën e Drejtorit të Arsimit të Lartë, periudhë gjatë së cilës vazhdoi edhe aktivitetin pedagogjik pranë Departamentit të Fizikës në FSHN. Gjatë kësaj kohe kreu funksionet e Kryetarit të Këshillit Mbikqyrës Nacional të projektit TEMPUS (1992-1995) dhe atë të Zëvendës Kryetarit të Komisionit të Kualifikimit Shkencor (1994-1995). Rikthehet në Departamentin e Fizikës në FSHN, ku në tetor të vitit 1996 emërohet Përgjegjës i Seksionit të “Materies së Kondensuar”, detyrë, të cilën e kreu deri në fund të jetës së tij. Ndërroi jetë, para kohe, më 18 shtator 2005 duke lënë pas një aktivitet pedagogjik e shkencor të larmishëm. Janë të panumërt artikujt shkencorë, artikujt metodiko–shkencorë, tekstet universitare, tekstet shkollore, tekstet ndihmëse shkollore, studimet dikasteriale të arshivuara, shkrimet në masmedia për problemet e arsimit të lartë si dhe botime të tjera në fushën e fizikës.

 

Mësuesja Elsa Mihal Ekonomi (Hila)

U lind më 5 tetor 1951 në qytetin e Durrësit. Mbaroi studimet e larta në vitin 1974 në Fakultetin Histori Filologji, Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Universiteti i Tiranës. Ka punuar si mësuese e letërsisë për mëse 25 vjet në shkollën e mesme të përgjithshme “Gjergj Kastrioti” të qytetit të Durrësit e më pas si inspektore për letërsinë në Drejtorinë Arsimore të Durrësit. Nga viti 2002 e në vazhdim drejton shkollën 12 vjeçare jopublike “Mihal Ekonomi”. Ka kryer një sërë kualifikimesh pasuniversitare në lëndët Teori e Letërsisë, Letërsi Shqipe, Filozofi, Gjuhë Angleze pranë UT. Për vitin 1989- 1999 u shpall “Mësuesi më i mirë i vitit”, çmim i akorduar nga Drejtoria Arsimore e Durrësit. Në vitin 2003 i jepet Certificate of Appreciation (Çertifikatë Vlerësimi) nga Houston Community College System TX USA, për pozicionin e lektores në kuadrin: Education, A Cultural Exchange. Në vitin 2004 është vlerësuar nga Bashkia Durrës me titullin “Nderi i Punës”. Në vitin 2021 u vlerësua me titullin “Mirënjohja e qytetit” me motivacionin: “Për kontributin e shquar në fushën e arsimit dhe mësuesisë, duke nxjerrë breza të tërë nxënësish dhe duke përçuar dije dhe kulturë në qytetin e Durrësit”. Autore e artikujve të ndryshëm letrarë, kritikë, gjuhësorë dhe metodiko–pedagogjikë. Njohëse e disa gjuhëve të huaja.